Z-Mobile paralajmëron arbitrazh ndaj Telekomit pas ndërprerjes së kontratës

Z-Mobile paralajmëron arbitrazh ndaj Telekomit pas ndërprerjes së kontratës

Kompania telefonike Z-Mobile, ka reaguar pasi Telekomi nuk e ka vazhduar kontratën sipas kushteve të parapara në marrëveshjen mes dy kompanive.
Në një njoftim për media, thuhet se Z-Mobile, me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim.

Z-Mobile thotë se deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me Z Mobile nuk besojmë që janë të sinqerta.
Sipas tyre, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media.

“Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me Z Mobile, por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje. Vazhdimi i kësaj kontrate ka qene në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut te telekomunikacionit ne Kosoves, thuhet në njoftim.

Z-Mobile paralajmëron arbitrazh ndaj Telekomit.
“Në situatën e tillë, Z Mobile, duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës se arbitrazhit ndaj Telekomit.

Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur “periudhë transicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”.

“Z Mobile është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri ne fund të gjitha mundësitë ligjore. Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj, thuhet në njoftim.

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, të martën njoftoi se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet. Ajo ka thënë shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për vazhdim pas gjashtë muajsh negociata.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *