QINDRA MIJËRA EURO DËME DHE RREZIKU I SHËNDETIT, ANA TJETËR E SKANDALIT TË BIK-UT ME KURBANË

QINDRA MIJËRA EURO DËME DHE RREZIKU I SHËNDETIT, ANA TJETËR E SKANDALIT TË BIK-UT ME KURBANË

Pos rrezikut të shëndetit publik nëse mishi i prishur i kurbanëve të BIK-ut do të shpërndahej, në këtë skandal të BIK-ut që e ka zbuluar Insajderi përllogariten edhe qindra mijëra euro dëme. Insajderi sjell anën tjetër të biznesit milionësh të BIK-ut më kurbanë
Qindra mijëra euro dëme dhe rreziku i shëndetit, ana tjetër e skandalit të BIK-ut me kurbanë
Në fillim të javës Insajderi raportoi se Bashkësia Islame e Kosovës po shpërndanë mish gjedhi në emër të kurbanëve që kjo bashkësi ka grumbulluar e që ishte i prishur. Një ditë pas këtij raportimi Agjencia e Ushqimit ka kryer inspektimin, bazuar në raportimin e Insajderit, dhe gjeti hiç më pak se 21 tonë mish të prishur në depon e BIK në Veternik, në Prishtinë. Kjo agjenci tha që e ka asgjësuar këtë mish.

Bashkësia Islame ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit për të komentuar këtë skandal.

Në publik nuk dihet ende se sa ka i ka kushtuar BIK-ut ky skandal në aspektin financiar, por dihet që nëse ky mish do të shpërndahej, i prishur ashtu siç e konstatoi Agjencia e Ushqimit, dëmi do të ishte tek shëndeti.

Derisa nuk dihet që sa i kushtoi BIK-ut këtë vit paketimi i mishit të kurbanëve, dihet që mishi i gjedhit në vend nuk është më i lirë se sa 7 deri në 8 euro për një kilogram. Në përllogaritje të thjesht del që dëmi financiar i këtij skandali së paku mund të jetë afro 170 mijë euro.

Vite më parë kur BIK kishte paketuar mishin e kurbanëve në Hungari, sipas të dhënave të Doganës një kilogram mishi i lopës i kishte kushtuar afro 17 euro.

Këtë vit BIK vetëm në një njoftim ka bërë me dije se biznesi me kurbanë ka qenë në vlerë mbi 1.1 milionë eurosh. BIK ka bërë me dije se ka marrë 9732 porosi për prerjen e kurbanëve, ku një kurban që paguhet në BIK nuk kushton më pak se 120 euro.

Edhe pse financat e BIK vazhdojnë të mbesin sekret, nga publikimet zyrtare të kësaj bashkësie del që biznesi me kurbanë në vitin 2017-të kishte kapur një vlerë afro 1 milion euro po ashtu, vetëm para të mbledhura nga qytetarët.

Organi kryesor për shpërndarjen e mishit të kurbanit nga BIK-u është shoqata “Bereqeti”.

Derisa kurbanet për BIK-un grumbullohen në pothuajse të gjitha zyrat e kësaj bashkësie nëpër këshillat lokal, lëshimin e dokumenteve për pagesë mund ta bëjnë edhe disa imamë.

Ish-imami i Janjevës, fshat në komunën e Lipjanit, Shemsi Gajtani, ishte suspenduar nga ish-kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë komunë, Vehbi Gajtani. Vendimi erdhi pas dyshimeve se ai kishte keqpërdorur paratë për therjen e kurbanëve.

Dëshmitari Vehbi Gajtani, kishte deklaruar se gjatë periudhës 2013, kishte marrë vendim që të suspendonte Shemsi Gajtanin nga detyra e imamit të fshatit Janjevë, pasi kishte pranuar disa ankesa dhe pakënaqësi nga disa banorë të këtij fshati, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e të hollave të destinuara për therjen e kurbanëve.

Ai kishte pohuar se me banorët e pakënaqur të Janjevës kishin arritur edhe një marrëveshje gojore që kjo situatë të kalonte pa u vënë re, ndërsa si kusht i parashtruar nga ana e banorëve ishte largimi i Shemsi Gajtanit nga detyra e imamit të fshatit, qoftë edhe për një periudhë më të shkurtër kohor.

Këto deklarata ish-kreu i KBI-së në Lipjan i kishte bërë në një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Shemsi Gajtani po akuzohej për keqpërdorim të besimit.

BIK-u që drejtohet tash e tri mandate nga Naim Tërnava, një teolog kontrovers kosovar, ka mungesë të theksuar të transparencës financiare me publikun.

Deri tash në publikë BIK nuk ka nxjerr raporte financiare, derisa raporte të publikuar a shumë vite më parë bëjnë me dije që vetëm Kryesia e kësaj bashkësie menaxhon me një buxhet, ku vetëm të hyrat shkojnë në afro 7 milionë euro.

Burimet kryesore financiare të BIK vazhdojnë të mbesin haxhi, ku BIK kryesisht e ruan monopolin e organizimit të këtij udhëtimit, pastaj kurbanët ku herë pas here ka konkurrencë, por jo aq sa ta dëmtoi bashkësinë në aspektin financiar, donacionet nga jashtë që mbesin sekrete për publikun si dhe të hyrat nga pronat që i jep me qira dhe pagesa e anëtarësisë.

Kjo e fundit bëhet e obligueshme sidomos në rastet e vdekjeve, kur besimtarët kërkojnë shërbime fetarë nga punonjësit e BIK, imamët kosovarë. Pagesa për anëtarësinë në BIK nuk është më e vogël se 3 euro në vit për çdo anëtarë të familjes./Insajderi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *