Kush do ta bëj ndryshimin e madh Vjosa apo Albini? Cili ka guxim vrasësit t’i dalë përballë!?

Kush do ta bëj ndryshimin e madh Vjosa apo Albini? Cili ka guxim vrasësit t’i dalë përballë!?

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani
Lajm i madh, i cili entuziazmoi shumë anëtarësinë e LDK-së, anë e mbanë Kosovës, ishte emërimi i Vjosa Osmanit si kandidate e partisë më të vjetër në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryeministre.

Vjosa Osmani, një grua e etur për pushtet, nga anëtarësia e LDK-së, simpatizantët e kësaj partie po shihet si shpresë e madhe për ndryshime drastike në Kosovë.

Megjithatë, pritjet e mëdha shpeshherë në Kosovë kanë ndodhur që të dalin të kundërta nga ajo që kemi pritur.

Kemi qindra – mijëra fakte për këtë. Kemi pas rastin e koalicionit VLAN. Koalicion ky i cili u tradhtua në minutat e fundit dhe njëri prej këtij koalicioni i fshiu vijat e kuqe për Patinë Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila në çdo fushatë parazgjedhore atakohet dhe akuzohet rënd për të bëmat e saj. Sidomos tash kur në krye të kësaj partie është ish shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK, Kadri Veseli.

Shumë raste kemi dëgjuar kur Veseli, PDK-ja dhe SHIK-u janë akuzuar për vrasje të zyrtarëve të lartë të LDK-së.

Zyrtarët e LDK-së, gjithmonë “egërsohen” në kohën e fushatës. Akuzat e tyre karshi SHIK-ut dhe PDK-së nuk janë edhe bash të lehta. Ata akuzojnë për vrasjen e shumë zyrtarëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të Kosovës, e që normalisht ishin pjesë e LDK-së së Ibrahim Rugovës.

Rugova i cili padyshim është njëri më meritorët për formimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, asnjëherë nuk ka akuzuar për të përfituar vota apo rritje të anëtarësisë, ashtu siç tash një pjesë e madhe e LDK-së, një muaj të fushatës akuzon rënd ndërsa më vite të tëra e lëpijnë atë që e kanë pështy!

Kjo ka ndodh disa herë tek këta zyrtarë të LDK-së, të cilët edhe në kohën kur ishin në Qeveri dhe Isa Mustafa ishte kryeministër, nuk morrin mundin, nuk e kishin guximin që të ballafaqohen direkt me SHIK-un, PDK-në, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Për rreth tri vjet udhëhoqën me Qeverinë, asnjë hap nuk e morën, asnjë iniciativë nuk e filluan për ndriçimin e dhjetëra-qindra vrasjeve të pazbuluara.

Ata për tri vjet, nuk guxuan të punojnë me drejtësinë, dikasterin më të rëndësishëm të shtetit.

Por, pse? Kjo është një pyetje e madhe që normalisht neve na u shfaqen plot hipoteza, mirëpo përgjigjen e saktë duhet me dhënë Isa Mustafa, ata që akuzuan SHIK-un dhe fëmijët apo familjarët që ishin deputet në kuadër të LDK-së, e që baballarët dhe familjarët e tyre u vranë në pabesi.

Po si të japin përgjigjen e duhur, kur e patën rastin për të zbuluar gjithçka që ka ndodhur, mirëpo u frikësuan përballë “vrasësve”!?

Apo ndoshta, nuk dëshiruan të merren deri në fund me akuzat e tyre karshi partnerit të koalicionit, i cili pasi përfituan mirë e rrëzuan nga posti Isa Mustafën?

A mendojnë këta që populli nuk i ka harruar gjithë ato akuza direkte të bëra nga zyrtarët e lartë të LDK-së, karshi “vrasësve” dhe “kriminelëve” me të cilët bashkëpunuan për disa vjet?

Si të i beson populli përsëri LDK-së e cila po cilësohet si shpresë e madhe për Kosovën?

A ishin edhe këta pjesëmarrës në shumë procese e vendime me PDK-në, por që pikërisht për shkak të atyre marrëveshjeve Kosova ka ngecur dhe vetëm po thellohet në ujin e pistë të krijuar nga këta matrapaz që ndër vite na udhëhoqën vetëm se nganjëherë ndërruan disa emra, ndërsa cilësia ishte e njëjtë!

Çfarë mund të bëj Vjosa Osmani edhe po të merrte postin e kryeministrit të Kosovës kur prapa vete ka Isa Mustafën, dhe gardën e vjetër e cila që 30 vjet na përcolli, ne sharruam në ujin e pistë, ndërsa ata u ngritën në qiell.

Kush do të mund ta fundoste njëherë e përgjithmonë piramidën e ndërtuar nga nëntoka e Kosovës?

Sa do të mund Vjosa Osmani e vetme t’i përballon presionet e mëdha e sidomos presionet brenda partiake kur dihet mirë se aty është garda e cila nuk do dëshironte që drejtësia të hyj thellë pasi mund të fundoseshin plotë personalitete të LDK-së, të cilët ndër vite rritën kapitalin me SHIK-un dhe PDK-në.

Është e pamundur të thuhet se vetëm PDK-ja ka kapur gjithçka në Kosovë, kur me të kanë bashkqeverisë edhe tri parti të tjera të mëdha.

Andaj ndryshimin në Kosovë, nuk mundet ta bëj Vjosa Osmani edhe po të qeveriste e vetme LDK-ja.

Ndryshimin e madh do ta bënte koalicioni LDK- LVV por me Albin Kurtin kryeministër!

Pse po e them këtë?

Këtë po e them pikërisht për faktin se Albin Kurti është i vetmi politikan i pakorruptuar në Kosovë. Ai nuk ka qeverisë as bashkqeverisë me asnjë parti politike. Edhe po të bëj koalicion me LDK-në dhe Qeverinë ta udhëheq Vjosa Osmani, nuk do t’i jepte shumë hapësirë për veprim Albin Kurtit.

Kurti ka nevojë të jetë i lirë. Ai do të shpartallonte çdo të keqe në Kosovë. Ai ka forcë, dije dhe fuqi për të i dal përballë secilit kriminel, matrapaz e vrasës. Albini do të ndryshonte sistemin e drejtësisë. Së pari do të fillonte me prokuror e gjykatës. Aty ka ndodhur kriminaliteti më i madh në Kosovën e pasluftës. Ata janë vrasësit më të mëdhenj pas atij që e ka shkrep plumbin!

Andaj, Kurti dhe Vetëvendosje duke e ditur se çfarë mund të bëj Vjosa Osmani, dhe duke i njohur mirë gardën e LDK-së e cila edhe pse e plakur nuk dëshiron që gjithçka të zbulohet, e ka të pamundur të që punën, dijen dhe kapacitetin e tij intelektual e trimëror ta çon deri në fund.

Kosova ka nevojë për ndryshime. Ndryshimin e bëjnë LDK-LVV, mirëpo vetëm nëse Albin Kurti bëhet kryeministër.

Ndryshe, entuziazmi i LDK-së, edhe pse krenohen me Qeverinë e Isa Mustafës si më të mirën në Kosovën e pasluftës, ishte pikërisht ajo kohë kur mbi 200 mijë qytetarë e braktisën Kosovën. Ishte pikërisht ajo kohë kur në Lumin Tisa u mbytën shqiptarët.

Një Qeveri e cila nuk ka guxim që kriminelët të i vendos prapa grilave, nuk mund ta merr epitetin si Qeveria më e mira.

Një Qeveri e cila nuk e kthen shpresën për të jetuar në Kosovë, nuk mund të quhet Qeveri e sukseseve.

Një Qeveri e cila nuk hap vende të reja të punës, dhe shumë emigrantë të Kosovës që janë nëpër rrugët e perëndimit të cilët nuk kthehen për të punuar e jetuar në Kosovë, nuk mund të vlerësohet si Qeveri e përparimit apo zhvillimit ekonomik.

Një Qeveri e cila tash do të merrte paga deri në 3 mijë euro, e një pjesë e madhe e popullsisë jeton me më pak se 1 euro në ditë, nuk quhet Qeveri e popullit, por Qeveri e zhvatjes!

Kosova mund të bëhet, por Kosovën pikërisht këta liderë nuk po e bëjnë!

Ky është momenti i fundit për liderët politik dhe për qytetarët. Nëse edhe kjo Qeveri vazhdon të mbetet e skandaleve atëherë duhet të dalim i madh e vogël rrugëve të Evropës për një jetë më të mirë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *