Beteja për votën e ndryshimit

Beteja për votën e ndryshimit

nga Hysen Hyseni

Kemi pasur një Qeveri që ka marrë vendime populiste dhe ka shpenzuar rezervat e shtetit. Për përformancën e saj më së miri flet fakti që në të gjitha sondazhet dy subjektet opozitare luftojnë dhëmb me dhëmb për vend të parë. Nuk e di a flet kjo për një vetëdijësim qytetar apo këto të ashtuquajtura parti politike kanë abuzuar aq shumë me pushtetin ndoshta janë të dyja bashkë.

LDK me kandidimin për kryeministre të Vjosa Osmanit ka rivalizuar jashtëzakonisht LVV për ta marrë votën për ndryshim. Vjosa në rregull, pa mëkate e pa korruptuar dhe e aftë për këtë pozitë, por si e përfaqëson ajo LDK-në, një subjekt politik që merr vota duke e sharë PDK-në. I gjithë elektorati i saj është anti-PDK dhe gjithmonë përfundon në shtrat me PDK-në duke e tradhtuar elektoratin e vetë dhe më pas përfundon duke u tradhtuar nga PDK-ja.

Vjosa nuk është fituese, ajo nuk ka triumfuar në partinë e saj ndaj kundërshtarëve të djeshem.Ajo vetem ka bërë një ujdi që të përdoret popullariteti i saj brenda elektoratit të LDK-se në këmbim të mandatimin për kryeministre. Ata që i ka luftuar i ka aty të gjithë.

Logjika e thjeshtë nëse Vjosa ka bërë ujdi pa triumfuar për t’u kandiduar për kryeministre, atëherë pse mos të bëjë ujdi nesër për ta ruajtur këtë post? (Patjeter me disa modifikime dokrra hiri për t’i shtyerë proceset përpara). Por, nëse Vjosa tregon vendosmërinë që e ka treguar, duke i bërë opozitë brenda partisë Qeverisë Mustafa, nga një pozicion force nga pozita më e lartë shtetërore, ajo e kryeministres, do të jenë tjera rrethana. Nëse do të arrijë ta menaxhojë forcën e saj politike, jo vetëm partia e saj, por edhe partitë e koalicionit qeverisës, do të jenë nën menaxhimin e saj.

Për votën e ndryshimit, bajrakun e mban Albin Kurti, i cili për dallim nga Vjosa, popullariteti, rezistenca dhe konsistenca politike i përputhet 100% me subjektin që përfaqëson. LVV është Albin Kurti, ndërsa LDK-ja nuk është Vjosë Osmani. LVV ka qëndruar stoike në parimet e saj, por edhe kjo i ka kushtuar shumë me humbjen e një kuadri që Lëvizja e ka rritur dhe formësuar, po po të njëjtit që janë duke e sulmuar më së shumti, janë ata që ishin përgatitur për ta mbrojtur vetë Lëvizjen. Është e qartë që Albini në këtë betejë po hyn i vetëm dhe i lënduar. Euforia dhe buzëqeshja e tij gjatë kësaj fushatë janë imazhe të rralla të Kurtit, që dyshoj se po mundohet t’i fshehë plagët, ta bind veten dhe qytetarët se ata janë vetëm një rrjedhje e LVV-së, bëhet fjalë për një largim dhe jo një për ndarje që deri ku qëndron, sepse emri Albin Kurti peshon më shumë se sa aftësitë e tyre.

Kur ata ikën Albini tha se ata i kanë mbivlersuar aftësitë e tyre të tregtueshme, por për këto dy vjet nuk arriti t’i tregtoj dot, por Albini e di që këtë deficit të kuadrit do ta mbushë sa të vije në pushtet sepse posa ai të vije në pushtet të gjithë do i afrohen ndoshta edhe do të befasoheni nga ata që do t’i afrohen.

Duke mos mundur ta ndalin frymen e ndryshimit e as ta akuzojnë për të kaluarën, e cila është e pastërt sepse ka 30 vjetë në politikë e asnjë ditë në pushtet, duke e pasur të pamundur ta shantazhojnë rivalet e tij politikë kanë filluar ta akuzojnë se cfarë do bëjë kur të vijë në pushtet duke e quajtur komunist dhe fashist, i cili do ta izolojë vendin, sa për ironi këta që e akuzojnë janë të njejtit që e kanë bërë Kosovën vendin më të izoluar ne Europë.

Një ështe e sigurtë që ndryshim rrënjësor do të ketë vetëm me Albin Kurtin kryeministër, por cilen rrugë do të ndjekë nuk e di, por cilën do ta zgjedhë do të jetë determinuse për fatin e Kosovës. Nëse lufton shumë gjatë me bishën rrezikon të bëhesh i tillë. Albini ka shumë vjet që këtë klasë politike e cilëson si armiqë dhe ka luftuar aq gjatë me ta saqë ndoshta i njeh mënyrat se si funksionon dhe ndoshta do t’i luftojë me të njëjtën mënyrë kur të vije në pushtet nëse e zgjedh këtë rrugë dhe do të jetë PDK 2.0 do të ishte fatale pëe Kosovën. Mbështetësit e saj do të ishin të shumtë dhe do të ishin në gjendje të luftojnë për parti sepse në këtë mënyre lufton edhe për vendin e punës detyrimisht për bukën e gojës, dhe militantet e PDK-së në njërën anë dhe militantet e LVV në anën tjetër do të armiqësoheshin aq shumë sa do të kishte rrezik edhe për përleshje fizike deri në luftë civile.

Kjo është rruga e lehtë që shpresoj që nuk do ta ndjekë Kurti, por është edhe rruga e vështirë e rikonstruktimit dhe shtetndërtimit ku do të mbizotronte meritokracia dhe me një qeverisje të mençur dhe të guximshme që rezultatet e para do të ishin ardhja e investimeve të huaja që do të rezultonte në punësim dhe zhvillim ekonomik. Nëse arrin që mirë qeverisja ta prek sado pak qytetarin, që ta ndjejë që shteti i shërben cdo qytetari dhe Qeveria po punon për të miren e përgjithshme do të krijohet një realitet i ri politik dhe socialë.

Me këtë politikë Albini do të humbiste shumë militantë të cilët i nevojiten shumë partisë por nëse ka mirëqeverisje do të fitojë militantë nga partitë tjera. Me një fjalë militantet do t’i shëndrronte në qytetarë të përgjegjshëm. E nëse arrinë ta bëjë këtë, e cila bëhet vetëm me mirëqeverisje Albini do t’i fitonte zgjedhjet sa herë të dojë, dhe në këtë realitet të ri që do të krijoheshin partitë që njihen që kanë shumë militantë, do të detyrohen ta ndërrojnë mënyren e funksionimit dmth të merren me zgjidhjet e problemeve të qytetarëve dhe jo të militantëve kjo do t’u imponohej sepse vetëm kështu mund ta largojnë nga pushteti një parti që mirëqeverisë. Nëse kjo do të ndodhte me të vërtetë, 6 tetori do të jetë datë historike për ndryshimin më të madh dhe të nevojshëm. Dhe nëse janë të vërteta fjalët që Albini është i obsesionuar që të hyjë në historinë e Kosovës, do bëjë histori në vete duke hy në histori në kohë paqeje.

Këtë ndryshim të madh mund ta bëjë vetëm një lider që e do njëmend këtë vend, që ka dije dhe guxim, që i ka duart e lira pëe të vepruar, që është i pa shantazhuar nga oligarkët dhe politika.
Ka shumë arsyje të besojmë, por edhe të dyshojmë. Por vetëm me Albinin, me këtë lloj lideri kemi sado pak gjasa të besojmë në këtë ndryshim të madh, kurse çdo fitues tjetër i këtyre zgjedhjeve e garanton vazhdimësinë në të cilen jemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *